Uncategorized

Si Lindën Idetë për Fushatën #KryeqytetiPaMakina

Gjithçka filloi me një pyetje të thjeshtë: Si mund ta bëjmë qytetin tonë më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë? Ne, si grupe të udhëhequra nga fëmijët “Respect Our Rights” dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve, u ulëm dhe menduam për mënyrat më kreative për të sjellë ndryshim në Prishtinë. Pas shumë diskutimesh, vendosëm të krijojmë një fushatë që jo vetëm ngre ndërgjegjësimin për ndotjen e ajrit nga makinat, por që gjithashtu do të ftojë të gjithë qytetarët të kontribuojnë në ndryshim. 

Fillimisht ne morëm pjesë në punëtori të organizuara nga Save the Children përmes modelit “Shift.” Ky model është krijuar për të fuqizuar të rinjtë që të ndërmarrin fushata inovative dhe të sjellin ndryshime pozitive në vendet e tyre. Duke përdorur këtë metodë, ne krijuam një fushatë lokale që targeton shoferët e moshës 18-40 vjeç, të cilët janë ndër përdoruesit kryesorë të makinave në Prishtinë. 

Gjatë punëtorive ne  u bashkuam me “Fun Adults nga organizatat Save the Children dhe Syri i Vizionit, si dhe me “Creative Buddies”—mentorë të marketingut dhe të kampanjave. Ata na mbështetën në krijimin e materialeve për të zgjeruar mesazhin tonë. Ky sistem mbështetës na ka ofruar një ambient të sigurt, ku ne, si fëmijë, mund të shprehim me besim vizionin tonë për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme.

Murali “1000 Arsye Për të Ecur” – Një Projekt Interaktiv

Fillimisht, menduam të krijonim një mural të përfunduar, por duke dashur të sjellim një qasje më interaktive dhe të përfshimë gjithë qytetarët në këtë përpjekje, vendosëm ta lëmë muralin të papërfunduar. Kështu, qytetarët janë të ftuar që të shtojnë vetë arsyet e tyre pse zgjedhin të ecin dhe jo të përdorin makinën. Ky mural do të qëndrojë për një muaj në Sheshin Skënderbej, ku secili qytetar mund të lërë një mesazh të tijin. Besojmë që një mural që ndërtohet hap pas hapi nga qytetarët vetë do të jetë më i fuqishëm dhe do të sjellë frymëzim për të gjithë.

Balonat te Prishtina Parking

Një tjetër ide që na entuziazmoi ishte të përdornim balona për të treguar sa e dëmshme është ndotja e krijuar nga motorët e ndezur të makinave. Pranë Prishtina Parking, do të vendosim balona të mbushura me gazra për të treguar që vetëm 0.5 sekonda e motorit të ndezur mund të mbushë pesë balona me gazra të dëmshme. Kjo pamje vizuale shpresojmë të jetë një kujtesë për të gjithë që, edhe me zgjedhje të vogla si ecja apo bicikleta në distanca të shkurtëra në vend të makinës, mund të ndikojmë në cilësinë e ajrit.

Bashkëpunimi me Kryetarin e Prishtinës

Për të sjellë më shumë mbështetje dhe për të krijuar një ndikim më të madh, u takuam me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për të bashkuar forcat për këtë fushatë. Me mbështetjen e tij dhe të Komunës, shpresojmë që #KryeqytetiPaMakina të ketë një ndikim të qëndrueshëm dhe të jetë një hap i rëndësishëm drejt një Prishtine më të pastër dhe më të shëndetshme për të gjithë.

Ejani dhe bëhuni pjesë e fushatës sonë! Na vizitoni te murali, shtoni arsyen tuaj për të ecur dhe bëhuni pjesë e këtij ndryshimi për një qytet që merr frymë lirshëm!